Muhammed b. El-Hanefiju (Muhammed b.Ali b. Ebu Talibi)

"Nuk njoh njeri që të ketë marrë më shumë dituri prej Aliut dhe t`ua ketë përcjellur të tjerëve sesa Muhammed b. El-Hanefiju” (Ibn Xhunejdi)

Rrëfehet se në një rast ishin zemëruar dy vëllezërit njeri me tjetrin Muhammed b el-Hanefiju dhe Hasan b.Aliu, e Muhammed el-Hasanit i dërgoi një letër në të cilën shkruhej:

-Allahu të ka bërë më të mire se unë, sepse ty të ka lindur Fatimja, bija e Muhammed b. Abdullahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], kurse mua një grua e thjeshtë nga fisi Beni Hanife, gjyshi yt nga nëna, është Pejgamberi i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], njeriu më i zgjedhur që ka lindur, kurse gjyshi im nga nëna është Xhafer b. Kajsi.

-Prandaj, kur të marrësh këtë letër, eja të pajtohemi! Paraprakisht të premtoj se do të pranoj se në të gjitha aspektet je më i mirë dhe më i zgjedhur se unë.
Dhe me të vërtetë, posa e mori letrën Hasani i shkoi Muhammedit në shtëpi dhe u pajtua me të.
Kush ishte ky njeri i ndershëm dhe i mençur Muhammed b. el-Hanefiju?
Ejani pra, të dëgjojmë nga fillimi së bashku tregimin e jetës së tij!

Ky tregim fillon nga fundi i jetë së Pejgamberit të Allahut [salAllahu alejhi ve sel-lem]. Një here Ali b.Abu Talibi ishte ulur me Pejgamberin e Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] dhe bisedonin, ku mes tjerash e pyeti:
-O Pejgamber i Allahut, sikur të më lindi ndonjë djalë pas teje, si mendon se do të ishte t`i lë emrin dhe llagapin tend?!
-Mirë, u përgjigj Pejgamberi i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]

Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe pasi Pejgamberi i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] kaloi në shoqërinë e njerëzve të zgjedhur, e pas disa muajsh edhe bija e tij e dashur, Fatimja e ndershme, nëna e Hasanit dhe Husejnit – Ali b. Ebu Talibi u martua me Havlën, bijën e b. Kajs el-Hanefijut, nga fisi Benu Hanife, e cila i lindi një fëmijë djalë dhe me lejen e Pejgamberit të Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], e emërtoi me emrin Muhammed dhe llagapin Ebu Kasim.
Megjithatë për të bërë dallim mes fëmijëve të Fatimes, Hasanit dhe Husejnit, njerëzit e thërrisnin Muhammed b. Hanefijj, e me këtë emër do të mbetet i njohur gjatë gjithë historisë

Muhammed b. El-Hanefiju është lindur diku para përfundimit të sundimit të halifes Ebu Bekr es-Siddikut [radijAllahu anhu]. U rrit dhe u edukua nën mbikqyrjen e babait të tij Ali b. Ebu Talibit [radijAllahu anhu] prej të cilit trashigoi devotshmërinë, modestinë, guximin, trimërinë dhe oratorinë, kështu që kur u rrit, sikurse dhe babai i tij u bë një hero i vërtetë i fushëbetejave, i pakalueshëm në diskutime me njerëz, e kur binte nata dhe me terrin e saj mbulonte token dhe njerëzit flinin, bëhej asket i vërtet i natës.

Babai i tij, Allahu qoftë i kënaqur me të, qysh fëmijë i vogël e merrte pas vetes nëpër fushëbeteja për ta kalitur, duke e këshilluar në sprova të rënda, e që nuk ndodhte me Hasanin dhe Husejnin, kështu që nuk i mungonte as trimëria e as vendosmëria. Në një rast e pyetën: 
-Pse babai yt përherë të shtyn në rreziqe, ndryshe nga Hasani dhe Husejni? – u përgjigj.
-Sepse dy vëllezërit e mi për babain tim janë si të dy sytë e ballit, e unë si dy duar, e me duart e tij i ruan sytë.

Kështu në luftën e Sifinit, në përleshjen e madhe që u bë ndërmjet Ali b. Talibit dhe Muavi b. Ebu Sufjanit [radijAllahu anhum], Muhammed b. El-Hanefiju mbante flamurin e babait të tij, ku në flakën e betejës, kur në njërën anë dhe në tjetrën binin kokat, përjetoi rastin për të cilin tregon:

-Kur u përleshëm në Sifin me pasuesit e Muavisë, aq me zemër luftonim saqë mendova se askush, as në anën tonë e as në anën e tyre nuk do të mbetet i gjallë, e më erdhi rëndë, sepse pas meje dëgjova një njeri që me zë të lartë bërtiste:
-Allah! Allah! O muslimanë!
Kujt do t`ia lini gratë dhe fëmijët?!
Kush do ta mbrojë fenë dhe fytyrën?!
Kush do të luftojë nesër kundër bizantinëve dhe kurdëve-dejle-mëve?
O muslimanë!
Kini frikë Allahun dhe kurseni muslimanët!
Pas kësaj u betova se kurrë më nuk do ta ngre shpatën mbi muslimanët.

Më vonë, kur u mbyt Ali b. Ebu Talibi nga dora e zullumqarit dhe kaloi halifeti në duart e Muavi b. Ebu Sufjanit, Muhammed b. el-Hanefiju për të mirën e Islamit dhe paqen iu besatua për respekt në të mirë dhe të keqe.
Muavi b. Ebu Sufjani ishte i sigurt në qëllimmirësinë dhe sinqeritetin e tij në besën që i dha, kështu që nuk dyshonte aspak tek ai. Kjo u bë shkak që Muhammed b. el-Hanefijun, në raste të ndryshme shum here e thërriste në Damask për ta vizituar, e ky i përgjigjej thirrjes.

Në një rast perandori bizantin i dërgoi një letër Muavisë në të cilën shkruhej:
"Çdoherë sunduesit te ne kanë pasur letërkëmbim, i kanë dërguar njëri-tjetrit dhurata dhe kanë bërë gara se kush do t`i dërgojë më shumë sende, të cilat nuk gjenden në perandorinë e tjetrit. A dëshiron që edhe në të vendosim marrëdhënie të tilla?”

Muavia u pajtua me ofertën e perandorit bizantin, prandaj perandori i dërgoi dy njerëz të tij të jashtëzakonshëm, prej të cilëve njëri ishte shumë i gjatë e i madh, si të ishte palmë në krahasim me njerëzit e tjerë, e tjetri i fuqishëm dhe i fortë, si kafshë e egër, Së bashku me ta perandori i dërgoi edhe një letër në të cilën i shkroi Muavisë:

-A ke ti në perandorinë tënde ndonjërin që të jetë kaq i madh dhe i fuqishëm siç janë këta të dyt?
Duke u këshilluar me Amër b. el-Asin, se kë të dërgojmë, Muavia tha:
-Sa i përket atij të gjatit, kam gjetur një njeri që është i gjatë si ai, madje edhe më i gjatë se ai, Kajs b. Sad b. Ubaden, e sa i përket të fuqishëm duhet të më ndihmosh ti.

Amri tha: Unë njoh dy persona, por asnjërin prej tyre nuk e kemi pranë.
Këta janë Muhammed b. el-Hanefij edhe Abdullah b. Zubejrin.
-Jo, Muhammed b. el-Hanefij e kemi pranë, - i tha Muavia.
-Por… a mendon se Muhammedi do të pranojë me famën dhe pozitën e lartë që ka, të garojë para botës me një bizantin se kush është më i fuqishëm?- e pyeti Amri, e Muavia iu përgjigj”
-Do të pranojë me siguri, e nësa ka nevojë edhe më tepër se kjo, në qoftë se në të sheh mburrjen e Islamit.

Pastaj Muavia thirri Kajs b. Sadin dhe Muhammed b. El-Hanefijun, e kur u caktua koha e garimit, Kajs b. Sadi hoqi shallvaret e tij dhe ia hodhi kundërshtarit që t`i veshë, e kur ky i veshi i arritën mbi gjoks e njerëzit filluan të qeshin.
E sa i përket Muhammed b.Hanefijut, i tha përkthyesit që t`i thotë kundërshtarit:

-Thuaj le të zgjedhë njërën prej dy gjërave: ose le të ulet në tokë, e unë do të qëndroj në këmbë, e le të ma zgjatë ai dorën dhe le të përpiqet, ose ai të më rrëzojë në tokë, ose unë ta ngrej atë prej toke, ose unë të ulem në tokë, e ai le të qëndrojë në këmbë; porse kundërshtari zgjodhi të ulet në tokë.

Muhammed b.El-Hanefiju e kapi për dore dhe që në fillim e ngriti në këmbë, ndërsa ky nuk mundi ta rrëzojë në tokë. Kundërshtari u hidhërua  dhe kërkoi nga Muhammedi të ulet në tokë, e ai të qëndrojë në këmbë, e Muhammedi e kapi për dore dhe e tërhoqi fuqishëm nga vetja, saqë për pak nuk ia këputi dorën, e me veprimin e parë e rrëzoi në tokë, kështu që të dy bizantinët u kthyen te perandori i tyre të humbur dhe të turpëruar.

Ditët vinin e shkonin dhe kohët ndryshonin.
Pasi sunduan dhe vdiqën Muavi b. Ebu Sufjani, i biri i tij Jezidi dhe Mevan b. Hakemi, hilafetin e mori Abdulmelik b.Mervani dhe u bërri thirrje muslimanëve që t`i besatohen. Me këtë u pajtuan banorët e Shamit, kurse e refuzuan banorët e Hixhazit dhe Irakut, duke iu besatuar Abdullah b.Zubejrit.
Pasi që prej atyre kishte mjaft edhe që nuk ia kishin dhënë besën asnjërit prej tyre, edhe i pari, edhe i dyti filluan të kërkojnë që t`u besatohen, duke e pare të arsyeshme se ai ka të drejtë më të madhe se tjetri, kështu që muslimanët u ndanë sërish në dy ushtri.

Abdullah b. Zubejri kërkoj prej Muhammed b.el-Hanefijut që edhe ai, si banorët e tjerë të Hixhazit t`i besatohet, por Muhammedi refuzonte, duke e ditur se kjo nuk është formalitet, por prej saj do të rrjedhin detyrime dhe detyra, ndërmjet të tjerash ta mbrojë edhe me shpatë atë që i është besatuar.
Ai mendonte se askush që është i mençur nuk duhet ta harronte se ç`kishte ndodhur në Sifin, sidomos kur vitet që kishin kaluar nuk kishin mundur t`ia fshijnë nga kujtesa fjalët që i kishte dëgjuar dhe mbajtur mend:
-Allah! Allah! O muslimanë!
Kujd do t`i mbeten gratë dhe fëmijët?!
Kush do të mbrojë fenë dhe fytyrën?!
Kush do të luftojë nesër kundër bizantinëve dhe kurdëve-dejlemë?!

Gjithsesi ai nuk kishte harruar asgjë nga këto fjalë, e i tha Abdullah b. Zubejrit:
-Ti e di mire se unë nuk kam asgjë dhe si musliman nuk i kërkoj asgjë askujt. Besatimin do t`ia jap ati që i besatohen muslimanët e tjerë, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për ty apo për Abdulmelikun.
Por vetëm nëse pajtohen muslimanët. Përndryshe në këtë situate, kur muslimanët janë të ndarë,nuk do t`i besatohem, as ty e as atij.
Mirëpo Abdullah b.Zubejri edhe pas kësaj përpiqej ta kthente në anën e tij, ndonjëherë duke e lutur dhe duke u sjellë mire me të, e disa herë duke e kërcnuar dhe e frikësuar.

Muhammed b. el-Hanefiju edhe më tej refuzonte t`i besatohet, edhe njërit edhe tjetrit. Dhe jo vetëm kaq. Shumë shpejt u mblodhën pranë tij aq shumë njerëz që ishin të këtij mendimi, saqë numri i tyre arriti rreth shtatë mijë. Të gjithë ata vendosën të jenë asnjëanës në mosmarrëveshjet mes Abdullah b.Zubejrit dhe Abdulmelik b. Mervanit, duke refuzuar që të jenë pjesë e turbullirës së madhë.

Mirëpo sa më shumë që rritej numri i ithtarëve të Muhammedit, aq më tepër i bënte presion Abdullah b. Zubejri që t`i bashkangjitet dhe t`i besatohet.
Kur Abdullah b. Zubejri e pa se nuk mund ta përfitojë, ai dhe ithtarët e tij nga hashimitët, ia ndaloi Muhammedit dhe ithtarëve të tij të dalin nga Mekka, i vuri nën mbikqyrje të rreptë dhe i kërcnoi:
-Pasha Allahun, ose do të më besatoheni, ose do t`ju djeg me zjarr!

Mandej të gjithë i vendosi në burg, shtëpiak dhe urdhëroi që shtëpitë e tyre të rrethohen me degë dhe drunj, kështu që nëse njëra ndizet të gjitha njëra pas tjetrës do të merrnin flake.
Në këto rrethina një grup i ithtarëve të Muhammedit erdhën dhe i thane:
-Na lejo të shkojmë dh eta vrasim Abdullah b. Zubejrin dhe t`i lirojmë njerëzit nga frika, - por ai u tha:
-Ne vetë ta ndezim zjarrin e përleshjes të parët, për të cilën kemi qëndruar anash?
-A ne të ngremë dorë mbi shokët e Muhammedi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], dhe fëmijët e tyre?!
-Jo, Pasha Allahun, nuk do të bëjmë asnjë veprim që mund të sjelli hidhërimin e Allahut.

Kur dëgjoi Abdulmelik b.Mervani se çfarë presioni po bëhet mbi Muhammedi b. Hanefijun nga ana e Abdullah b.Zubejrit, vendosi ta shfrytëzojë këtë rast të volitshëm dhe të përpiqet ta përfitojë për vete dhe i dërgoi një letër nëpërmjet një të dërguari të tij, të shkruar me dashamirësi dhe butësi si t`ia kishte shkruar fëmijës së tij. Ne të, përveç të tjerash shkruhej:

-Kam dëgjuar se Ibni Zubejri po bën presion të madh mbi ty dhe ithtarët e tu, ta ka shtrënguar litarin rreth qafës, i ka shkeluar marrdhëniet farefisnore dhe ka zhvlerësuar autoritetin që gëzon…
Më këtë të bëj me dije se për ty dhe itharët e ty dyert e Shamit janë të hapura në çdo kohë dhe presim që të na vish, duke të uruar mirëseardhjen. Prandaj urdhëro e shpërngulu te ne kur të duash dhe ku të duash! Ne do të presim me mikpritje si fqinj dhe shoku ynë.
Do të shohësh, në qoftë se do Allahu, se do të jem zemërgjerë ndaj teje, nderin tend do ta respektojmë dhe dë kujdesemi për marrëdhëniet farefisnore.

Kështu Muhammed b. Hanefiju me ithtarët e tij u drejtua për në Sham ku për vendqëndrim zgjodhi Ublën, qytezë në veri të Akabes, më vonë u bë e njohur me emrin Ilat, ku banorët e saj e pritën me zemërgjerësi dhe u sollën me ta si fqinj të mirë.
Aty për shkak të devotshmërisë dhe modesties së sinqertë, filluan ta duan dh eta respektojnë shumë shpejt. Ai filloi t`i udhëzojë në të mira, t`i largojë nga punët e këqija, t`u prijë si imam, t`u zgjidhë mosmarrëveshjet mes tyre dhe me punën e tij të kontribojë që askush të mos i bëjë padrejtësi askujt.

Mirëpo këto veprime arritën shumë shpejt deri në veshët e Abdulmelik b. Mervanit, të cilit nuk i pëlqyen aspak, e filloi të këshillohet me njerëzit e tij se si të veprojë me të.

Në fund ata e këshilluan Abdulmelikun:
-Ne mendojmë se duke marrë parasysh naming dhe përvojën e tij të deritashme, nuk është mirë të lejosh që në mbretërinë tënde të bëjë ç`të dojë, por duhet t`i ofrosh: ose së bashku me ithtarët e tij të besatohen, ose të kthehen andej prej nga kanë ardhur.

Abdulmeliku i shkroi një letër ku mes të tjerash shkruhej:
-Ti ke ardhur në perandorinë time dhe je vendosur në një qytet kufitar, në kohën kur ndërmjet meje dhe Ibn Zubejrit zhvillohej luftë… Duke marrë parasysh autoritetin tend dhe nderin që ke te banorët  e këtij shteti, jam i mendimit se në vendin tim mund të qëndrosh vetëm se në qofse më besatohesh.

Prandaj në qoftë se pranon të më besatohesh, prej meje ke një qind mijë tregtarë së bashku me personelin dhe robërit, të cilat sapo kanë mbërritur nga limani i Kalzemit.
Pos kësaj të dhuroj edhe njëmijë dërhemë, të cilët mund t`i harxhosh lirisht për veten, fëmijët, farefisin, shërbëtorët dhe ithtarët e tu..
Po në qoftë se nuk pranon të besatohesh, atëherë ti dhe itharët e tu duhet të largoheni nga perandoria ime!

Pasi lexoi letrën e Abdulmelikut, Muhammed b. el-Hanefiju i kthehu përgjigjen ku shkruhej:
Nga Muhammedi, djali i Aliut, Abdulmelikut djalit të Mervanit.
Se pari selam, e mandej falënderimi i takon Allahut pos të cilit nuk ka Zot tjetër!
Pastaj…
Më duket se po frikësohesh prej meje? Mendova se do ta respektosh qëndrimin tim lidhur me këtë përleshje.
Pasha Allahut, sikur tërë ummeti islam të pajtohet që ta japi besën, pos një fshati të vetëm, unë nuk do ta merrja shpatën e me dhunë t`i shtyj ta bëjnë një gjë të tillë.
Kur isha në Mekke Abdullah b.Zubejri kërkonte prej meje që t`i besatohem, e unë refuzova dhe për ketë shkak u soll ndaj meje si fqinj i keq. Mandaj ti më dërgove një letër dhe kërkove të vij të vendosem këtu në Sham, e për këtë shkak të jetës së lirë dhe largësisë nga qendrae pushtetit dhe fuqisë tënde jam vendosur në këtë vend afër kufirit, ku ti më shkrove çka më shkrove…
Prandaj në qoftë se do Allahu, ashtu si kam ardhur me ithtarët e mi në këtë vend, ashtu do të shkoj.

Kështu Muhammed b.Hanefiju me ithtarët e tij u largua nga Shami dhe nisi të bredhi, sepse kudo që shkonte me qëndrimin e tij neutral i shqetësonte dhe u sillte reziqe.
Sikur most a kishte këtë hall, Allahu i Lartësuar e sprovoi me një sprovë edhe më të madhe.
Nga dobësia e zemrës dhe shkurtpamësia, disa prej ithtarëve të tij filluan t`i thonë:

-Pejgamberi i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], Aliut dhe anëtarëve të familjes së tij ua ka lënë besim shumë fshehtësi prej fesë, diturisë dhe ligje të fesë, të cilat nuk ua ka besuar muslimanëve të tjerë, kështë që familjen e tij e ka udhëzuar me atë që itharët e tjerë nuk i ka udhëzuar.
Ky njeri i ndershëm dhe i ditur e kuptoi me kohë se çfarë rreziku përmban në vetvete ky kthim nga rruga e drejtë dhe çfarë rreziqesh mund të sjelli për Islamin dhe Muslimanët.

Prandaj një ditë i mblodhi të gjithë ithtarët e tij dhe me këtë rast pasi e falënderoi Allahun dhe i uroi bekim dhe paqe Pejgamberit të Tij Muhammedit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] tha:
-Disa njerëz mendojnë se ne, familja e Muhammedit, kemi një dituri të posaçme në fe dhe se Pejgamberi i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] na ka besuar disa fshehtësi nga feja duke mos ua treguar muslimanëve të tjerë…

Pasha Allahun, ne nga Pejgamberi i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] nuk kemi trashëguar asgjë më tepër se ç`shkruan ndërmjet dy kopertinave të këtij Mus`hafi
Prandaj gënjen kushdo që thotë se ne kemi të themi diçka më tepër se ç`shkruhet në këtë Libër.

Disa nga ithtarët e përshëndetën me fjalët:
-Es-selamu alejke, o Mehdi!, e ai u përgjigj:
-Unë jam i udhëzuar në të mirë sikurse edhe ju, në qoftë se do Allahu për mua do të më ishte më e dashur që kur të më përshëndetë dikush të thotë:
Es-selamu alejke o Muhammed!

Muhammed b. el-Hanefijju nuk pati nevojë të bredhë gjatë për të gjetur vendqëndrim kur të vendosej aid he ithtarët e ti, sepse Allahu i Lartësuar deshi që ne atë kohë, Jusuf b. Haxhaxh eth-Thekafiu ta mundi Abdullah b. Zubejrin.
Pas kësaj njerëzit iu besatuan Abdulmelik b. Mervanit, e as Muhammedit nuk i mbeti rrugëdalje vetëm se t`i shkruajë një letë Abdulmelikut ku thuhej:
-Abdulmelik b.Mervanit, sunduesit të besimdrejtëve, prej Muhammed b. el-Hanefijut..

Pastaj…, pasi pashë se fitorja të takoi ty dhe se njerëzit t`u besatuan, edhe mua nuk më mbeti tjetër rrugëdalje pos ta pranoj mëkëmbësin tend në Hixhaz nëpërmjet të cilit edhe ta kam dërguar këtë letër. Ve-selamu alejke!
Kur ua lexoi letrën Abdulmeliku njerëzve e i pyeti se ç`mendojnë ata i thanë:
Sikur të donte të na kundërshtoje, ka pasur mundësi që këtë përljeshje ta ashpërsojë edhe më tepër, kështu që ka pasur mundësi të dale krejtësisht nga kontrolli, por nuk e bëri këtë. Prandaj të këshillojmë që ta pranosh besatimin e tij të garantosh që as atë e as ithtarët e tij mos t`i shqetësojë askush.

Abdulmeliku e pranoj këtë këshillë, e i shkroi mëkëmbësit të tij Haxhaxhit që të sillet mire me të dhe me ithtarët e tij, ta respektojë nderin e tij dhe ta ndihmojë me sa të ketë mundësi.
Mirëpo Muhammed b. el-Hanefiju pas kësaj nuk jetoi shumë kohë, sepse Allahu i Lartësuar e zgjodhi në shoqërinë e atyre që ishte Ai i kënaqur me ta, por edhe ata të kënaqur me Atë.

Le ta ndriçojë Allahu [subhanehu ve teala] varrin e Muhammed b. el-Hanefijut dhe shpirtit të tij le t`i dhurojë të mirat e Xhenetit! Sepse ai me të vërtetë ishte prej atyre që nuk mbjellin çregullim në tokë e as që ka ushtruar dhunë ndërmjet njerëzve.

 

Abdurrahman Ra`fat el-Basha

Category: Fragmente nga jeta e sahabve | Added by: El-Kasim (2012-03-15)
Views: 775 | Rating: 2.0/1
Total comments: 0
Emri *:
Email:
Kodi i sigurimit *: