Imam Ebul Kasim Hibetullah ibn Hasen ibn Mensur et Taberi el Lalikai në librin e tij "Shpjegimi i bazave të besimit të pasuesve të sunetit dhe xhematit” vëll. I (pjesa e parë) f. 170 ka thënë se Muhamed ibn Abdurrahman ibn Abas thotë se e ka lajmëruar Ebu Fadl Shuajb ibn Muhamed ibn Rraxhian, i cili thotë se e ka lajmëruar Ali ibn Harb el Musilij nga qyteti Surremenjera (sot, Samarraj, qytet në Irak) në vitin 257 h., e ky ka dëgjuar Shuajb ibn Harb të thotë se i ka thënë Ebi Abdilahut Sufjan ibn Said eth Theurij:
-Më trego mua diçka nga suneti (ka për qëllim akiden, pasi në atë kohë akidja quhej suneh) e cila do të më bëj dobi, e kur të qëndroj para Allahut të Lartësuar e të më pyes për të, kur të më thotë se ku e ke marrë këtë (akide), t’i përgjigjem: "O Zot, ma ka treguar Sufjan eth Theurij dhe unë e mora prej tij.” Kështu, unë fitoj (shpëtoj prej dënimit) e ti merresh në pyetje.
-O Shuajb, kjo është e sigurtë. E çfarë është më shumë e sigurtë se sa kjo? Shkruaj!
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit
Kurani është Fjalë e Allahut, e pakrijuar2. Nga Ai filloi dhe tek Ai do të kthehet. Kush thotë diçka tjetër përveç kësaj, ai është mohues (kafir).
Besimi (imani) është fjalë, punë dhe qëllim (nijet), shtohet dhe pakësohet. Shtohet me devotshmëri dhe pakësohet me mëkate. Nuk lejohet fjala (nuk pranohet), vetëm se me punë3 dhe nuk lejohet (nuk pranohet) fjala dhe puna, vetëm se me qëllimin (nijetin) e nuk lejohet (nuk pranohet) fjala, puna dhe qëllimi (nijeti), vetëm se me ndjekjen e sunetit.
-O Ebi Abdilah, çfarë do të thotë të miratojë (të ndjekë) sunetin?- thotë Shuajbi.
-T’i japësh përparësi dy shejhave4, Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!)(para sahabëve të tjerë).
O Shuajb ibn Harb, nuk do të bëjë dobi ty ajo që shkrove, derisa t’i japësh përparësi Uthmanit dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) para atyre që vijnë pas tij (sahabëve të tjerë).
O Shuajb ibn Harb, nuk do të bëjë dobi ty ajo që shkrove, nëse dëshmon për dikë që është në xhenet apo në zjarr, përveç atyre të dhjetëve, për të cilët ka dëshmuar i dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e të gjithë ata ishin prej kurejshëve.
O Shuajb ibn Harb, nuk do të bëjë dobi ty ajo që shkrove, deri sa të besosh se mes’hi mbi meste (si çorape prej lëkure) pa i hequr ato, është më i drejtë se sa larja e këmbëve, nëse je me meste5.
O Shuajb ibn Harb, nuk do të bëjë dobi ty ajo që shkrove, derisa të besosh se fshehja (thënia pa zë) e thënies "Bismilahi Rrahmani Rrahim” (në namaz) është më e mirë për ty se sa ta thuash atë me zë6.
O Shuajb ibn Harb, nuk do të bëjë dobi ty ajo që shkrove, derisa të besosh në kaderin, të mirën dhe të keqen, ëmbëlsinë dhe të hidhurën se të gjitha këto janë nga Allahu i Lartësuar.
O Shuajb ibn Harb, uallahi, nuk kanë thënë kaderijet atë që ka thënë Allahu7 i Lartësuar, as atë që thanë engjëjt, as atë që thanë profetët, as atë që thonë banorët e xhenetit, as atë që thonë banorët e zjarit, as atë që tha vëllai i tyre Iblisi (Mallkimi i Allahut qoftë mbi të!).
Allahu i Lartësuar ka thënë:
"A e ke parë ti (Muhamed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin. Atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij. Më thuaj, përveç Allahut, kush mund ta udhëzojë atë? A nuk merrni mësim?” Xhathije, 23.
"Po ju nuk mund të doni gjë, përveç nëse do Allahu, e Allahu është shumë i Dijshëm, shumë i Urtë.” Insan, 30.
Engjëjt thanë:
"Thanë: Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithdijshmi, i Urti!" Bekare, 32.
Nuhu (alejhi selam) tha:
"Nëse përpiqem t'ju këshilloj, po qe se Allahu do t'ju humb e këshilla ime nuk bën dobi. Ai është Zoti juaj dhe vetëm tek Ai do të ktheheni.” Hud, 34.
Shuajbi (alejhi selam) tha:
"Ne do të kemi shpifur gënjeshtër ndaj Allahut, nëse ktheheni në fenë tuaj (idhujtare), pasi që Allahu na shpëtoi nga ajo. Nuk është për ne të kthehemi në të, vetëm nëse është dëshira e Allahut, Zotit tonë. Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e vet çdo send, ne i jemi mbështetur Allahut. Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin Tënd të drejtë, se Ti je më i miri Gjykatës!” Araf, 89.
Banorët e xhenetit do të thonë:
"E ata thonë: Falenderojmë Allahun që na udhëzoi për këtë (për iman, për punë të mira, na hoqi zilinë, na futi në xhenet). Sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi. Vërtet, të dërguarit e Zotit na e thanë të vërtetën dhe ne i besuam. E atyre u thuhet: Ky është xheneti, ju dhurua juve për atë që vepruat.” Araf, 43.
Banorët e zjarrit do të thonë:
"O Zoti ynë, ne na patën mundur të këqiat (u dhamë pas epsheve të dynjasë) dhe si të tillë ishim popull i humbur.” Muminun, 106.
Iblisi, vëllai i tyre tha:
"Zoti im, për shkak se më përzure (më largove), unë do t'ua zbukuroj (të këqiat) atyre sa të jenë në tokë (në këtë botë) dhe të gjithë ata do t'i largoj nga rruga e drejtë." Hixhr, 39.
O Shuajb ibn Harb, nuk do të bëjë dobi ty ajo që shkrove, derisa të falesh pas imamit, qoftë ai i pastër (i drejtë) apo fasik (mëkatar) dhe se xhihadi do të vazhdojë deri në Ditën e Kiametit. Nuk do të bëj dobi ty ajo që shkrove, derisa të bësh durim nga gjykatësi (prijësi), i drejtë qoftë apo i padrejtë.
-O Ebi Abdilah, a të falemi (në të gjitha llojet e namazit) pas tij (imamit), qoftë i drejtë apo fasik?- e pyet Shuajbi.
-Jo, por namazin e xhumasë dhe të dy bajrameve, fali pas atij që del imam, ndërsa për namazet e tjera ti duhet të zgjedhësh për t’u falur atje ku je i sigurtë dhe pas atij që ti e di se është prej pasuesve të sunetit dhe xhematit (ehli sunetit).
O Shuajb ibn Harb, kur të dalësh para Allahut të Lartësuar dhe kur të të pyes për këto fjalë, përgjigju duke i thënë: "O Zot, më njoftoi mua me këto fjalë Sufjan ibn Said eth Theurij.” Pastaj më lër mua me Allahun e Lartësuar8.
Përktheu: Erion Sula
__________________
3. Kjo është kundërpërgjigje ndaj atyre që thonë se puna është kusht i plotësisë së besimit, ndërsa e sakta është se puna është kusht i vërtetësisë së besimit (imanit). Për këtë shkak imam Sufjani thotë se nuk pranohet fjala pa punë. Një nga argumentet për këtë është Fjala e Allahut të Lartësuar: "E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrënqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo që Ne i furnizuam, ata japin. Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.” Enfal - 2, 3, 4. Allahu i Lartësuar shpjegoi se besimi (imani) i vërtetë dhe i pranuar tek Allahu është ai që shprehet me gojë, pranohet me zemër dhe zbatohet me gjymtyrë.
4. Kjo është kundërpërgjigje ndaj një grupi të quajtur reuafidah, të cilët i japin përparësi Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përpara Ebu Bekrit, Umerit dhe Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) duke pretenduar se Aliu ka përparësi për hilafetin para tyre dhe se këta ia morën me forcë. Argumentet e tyre janë të përziera me shpifje, gënjeshtra dhe me disa thënie të sakta, të cilat i komentojnë duke i ndryshuar kuptimet e tyre reale. Përsa i përket gënjeshtrave dhe shpifjeve të tyre nuk është e nevojshme të humbasim kohë me to, ndërsa për thëniet e sakta përmendim këtu thënien e profetit (alejhi selam) drejtuar Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!): "A nuk gëzohesh të jesh tek unë siç ishte Haruni te Musai?” Reuafidat thonë se ky ishte një paralajmërim nga profeti (alejhi selam) se Aliu do të jetë halife (zëvendësues) menjëherë pas vdekjes së tij. Kjo është vetëm një pretendim i kotë, për disa arsye: Qëllimi i thënies është "Të jesh tek unë si vëlla, siç ishte Haruni për Musain.” Ajo që na bëri të komentojmë këtë hadith kështu, në këtë kuptim është se Haruni ishte profet, ndërsa Aliu nuk është profet. Nëse thonë se për shkak se ai nuk është profet, ne e shpjegojmë hadithin se bëhet fjalë për kuptimin e halifes (zëvendësimin e tij). U themi se ky koment gjendet në atë që është transmetuar në një hadith të saktë se profeti (alejhi selam) ka thënë: "Nuk pranon Allahu dhe besimtarët, vetëm që të jetë Ebu Bekri (halifja ime).” Pastaj, Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte i kënaqur që Ebu Bekri të ishte i tillë dhe e ka pranuar si halife. Ajo që argumentohen reuafidat nëse do të ishte e saktë, atëherë si ka mundësi që Aliu të mos vepronte ashtu (nëse do të ishte paralajmëruar nga profeti (alejhi selam)).
5. Kjo është nga çështjet e fikhut, por dijetarët e kanë futur në akide, për shkak se disa bidatçinjë (reuafidat) nuk e lejojnë marrjen e mestit mbi meste dhe i kundërshtojnë të gjitha argumentet e sakta që flasin për lejueshmërinë e tij. Një nga argumentet që ata kundërshtojnë është hadithi që gjendet në "Sahihun” e Buhariut dhe të Muslimit transmetuar nga Mugire ibn Shube i cili ka thënë: "Profeti (alejhi selam) ishte duke marrë abdes dhe unë shkova për t’ia hequr mestet. Ai më tha: "Mos i hiq se une i vesha të pastërta.” Pastaj i dha mest sipër tyre.”
6. Allahue mëshiroftë imamin që e bëri këtë çështje nga çështjet e akides, kur i tha Shuajbit se nuk do të bëjë dobi ty ajo që shkrove, derisa të besosh se thënia e saj është më e mirë pa zë. Në këtë çështje edhe sahabët dhe imamët e mëdhenj të umetit janë kundërshtuar. Disa prej tyre janë të mendimit se thënia "Bismilahi Rrahmani Rrahim” në namaz duhet të thuhet me zë. Të këtij mendimi janë: Ebu Hurejre, Abdullah ibn Umer, imam Said ibn Xhubejr, imam Shafiu, e si mund të themi që nuk të bën dobi besimi, kur këta imamë të mëdhenj janë shprehur kështu.
7. Drejtimi i bidatçinjëve kaderij është se ata besojnë që Allahu i Lartësuar nuk ka fuqi për udhëzimin dhe humbjen e askujt, sepse Ai nëse e cakton këtë dhe pastaj e dënon atë që bën mëkate do të jetë i padrejtë. Pretendimi i tyre është i pabazë, i kotë. Imam Sufjan eth Theurij për kaderijet tha se edhe vëllain e tyre, Iblisin ata e kundërshtuan. Kjo shpjegohet qartë në ajetet që imam Sufjani i përmendi. Thëniet dhe pretendimet e kaderijeve kundërshtohen lehtë nga shumë këndvështrime, prej tyre po përmendim vetëm dy: 1. Nëse themi që veprimet e njerëzve nuk i krijon Allahu do të forconim bindjen se paska krijues tjetër përveç Allahut. 2. Caktimi i Allahut për veprat e njerëzve nuk do të thotë që Ai i ka urdhëruar ata që t’i veprojnë ato mëkate. Pra, ka dallim nga caktimi i përgjithshëm i Allahut dhe caktimi i sheriatit, me kuptimin që Allahu do të llogarisë çdo gjë që ka urdhëruar në sheriat dhe nuk do të llogarisë për atë që Ai ka caktuar. P.sh.: nëse thuhet se si do të na llogarisë Allahu për imoralitetin, ndërkohë që Ai e ka caktuar atë për neve, përgjigjemi se Allahu e ka caktuar për ty atë, duke e ditur me dije të plotë që ti atë do të veprosh. Ai e ka ndaluar atë në sheriat, ndërsa ti e vepron atë me dëshirën tënde dhe Allahu për shkak të kundërshtimit të sheriatit do të dënojë ty dhe jo për shkak të caktimit të Tij.
8. Kjo është nga siguria e plotë e imamëve të mëdhenj për akiden e tyre, pasi qëndrimi para Allahut të Madhëruar është një gjë shumë e madhe. Atij që nuk ia mundëson Allahu i Lartësuar argumentet e tij, nuk ka ndonjë argument tek Allahu i Lartësuar. E lusim Allahu e Madhëruar që t’i mëshirojë imamët tanë dhe t’i shpërblejë ata për këtë dije dhe besim (iman) me shpërblimet më të mira dhe të na falë ne dhe ata me bujarinë dhe mëshirën e tij! |