Për çdo prind! Le të jetë dhuratë ky ajet: "O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër, që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” Tahrim 6.
Ahnef b. Kajsi e përkujtonte Muavijen për mirësinë e fëmijës: "O udhëheqës i besimtarëve, ata janë frytet e zemrave tona dhe mbështetja e shpinave tona. Ne për ata jemi si toka e nënshtruar dhe si qielli që bën hije, ndërsa me ndihmën e tyre kalojmë çdo vështirësi. Pra, kur kërkojnë diçka, atëherë jepu e kur zemërohen, atëherë pajtoji, sepse kështu do ta dhurojnë dashurinë e tyre dhe do të ta bëjnë të dashur mundin e tyre.”
Fëmijët tanë janë freskim dhe kënaqësi për ne. Allahu subhanehu ue teala i këshillon prindërit, që të jenë të kujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre. I Dërguari i Allahut Muhamedi salallahu alejhi ue selem i këshillon prindërit, që të jenë të kujdesshëm dhe të sjellshëm ndaj fëmijëve të tyre, duke u treguar se më i miri prej tyre është ai që është më i mirë për familjen e vet. Ndërsa forma më e mirë e edukimit është që atyre t’u mësohet namazi dhe t’u mbillet dashuria e këtij simboli në zemrat e tyre, që ata ta kryejnë me rregull dhe seriozitet.
Pra, namazi është një simbol, të cilin Muhamedi salallahu alejhi ue selem e ka quajtur dritë dhe shtyllë të fesë. Ai është një nyje, e cila e lidh robin me Krijuesin e vet pesë herë në ditë. Ky simbol është edhe stacion në të cilin robi veçohet me Krijuesin e Vet dhe do të jetë shpëtim për të në Ditën e Gjykimit.
Duke e kryer këtë ritual robi i drejtohet Zotit të tij, e Zoti i Tij ia kthen duke iu përgjigjur: Më falënderoi robi im, më madhëroi robi im… dhe për robin tim ka çka të kërkon ai.
Gjithashtu ky ritual është çelësi i xhenetit dhe antivirusi më efektiv për mbrojtjen e tij nga mëkatet. Këtë e dëshmon fjala e Allahut subhanehu ue teala kur thotë: "...vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe ngacmimet…” Ankebut 45.
Muhamedi salallahu alejhi ue selem i ka nxitur prindërit, që ata qysh në fëmijëri të përpiqen e t’ua mësojnë këtë ibadet dhe t’ua bëjnë atyre të dashur, në këtë mënyrë ata ta kuptojnë edhe fshehtësinë që ngërthen në vetvete duke na thënë: "Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz në moshën shtatëvjeçare, ndërsa në moshën dhjetëvjeçare rrihni pak dhe ndani në shtrat.” E përcjell Ebu Davudi. Duke u mbështetur në aspektin praktik të këtij hadithi desha që vëllezërve të mi baballarë dhe motrave të mia nëna t’u paraqes disa rregulla, të cilat do t’i ndihmojnë ata që t’ua bëjnë të dashur këtë ibadet. Po ashtu duhet të kemi parasysh se këto rregulla studiohen edhe nga pedagogët dhe thirrësit në rrugën e Allahut.
E para: Edukimi me frymën e besimit
Prindi nuk mund të mbjellë tek fëmijët plotësisht dashurinë ndaj namazit, duke pasur ata zbrazëti në sferën e besimit, sepse shumë çështje të besimit kanë të bëjnë me botën e fshehtë, i cili nuk mund të arrihet me anën e shqisave, por vetëm duhet ta besojmë ashtu siç na ka mësuar Muhamedi salallahu alejhi ue selem dhe rolin kryesor në këtë rast e luan prindi.
Në këtë sferë kemi shëmbëlltyrë planin e misionit të të Dërguarit, salAllahu alejhi ue selem, i cili gjatë periudhës së Mekës u mor fillimisht me çështjet e besimit derisa ua mbolli atë në zemër, kështu që sahabët nuk kishin pengesa për t’i zbatuar rregullat e sheriatit. Nëse arrihet kjo atëherë fëmija, që në moshë të hershme mund ta kuptojë se Allahu është Krijuesi i tij; Ai i furnizon dhe i mirëmban krijesat, Ai udhëzon kë të dojë në rrugë të drejtë dhe i do njerëzit e mirë e i urren ata që janë të ligj. Për këtë shkak edhe të dërguarit e Tij kanë qenë njerëzit më të zgjedhur të njerëzimit.
E dyta: T’u ofrohet atyre një shëmbëlltyrë e mirë
Shembulli i mirë iu ofrohet fëmijëve në atë formë kur prindi është korrekt në çështjen e namazit, duke mos e vonuar atë nga koha e vet, si dhe duke u angazhuar nganjëherë edhe në faljen e namazeve nafile në shtëpi me fëmijët etj. Kjo gjë ndikon që edhe fëmija të ndjekë rrugën e prindit të vet. Është e pëlqyeshme që prindi ta rregullojë orarin e shtëpisë në bazë të kohëve të namazit. Për shembull, nëse do të bëjë ndonjë vizitë, le t’u thotë fëmijëve që po shkojmë për vizitë pas namazit të iqindisë, apo pas namazit të akshamit. Domethënë jeta e tij të lidhet sa më ngushtë me kohët e namazit.
Nëse prindërit e bëjnë shprehi që mos t’u ikë atyre koha e namazit, nuk mbetet hapësirë që fëmijët ta vonojnë apo ta lënë pas dore këtë ibadet. Njëkohësisht duhet që fëmijëve përveç aspektit teorik t’u jepet edhe ana praktike duke i mësuar ata se si të marrin abdes apo si të falen, si dhe duke i përmirësuar ata për gabimet që bëjnë gjatë kryerjes së ndonjë ibadeti.
E treta: Tregimet
T’u drejtohesh fëmijëve me fjalë të drejtpërdrejta do të ishte gjë e rëndë për ta, ngase ai e kupton si një detyrë e cila është vetëm për të rriturit, si dhe një gjë e cila e ndalon atë prej lojës me shokët e vet. Por kur t’ua paraqesim atyre pasqyrën e njerëzve të mirë, të cilët zemrat e tyre kanë qenë lidhur ngushtë me Allahun subhanehu ue teala, do t’u duket e lehtë kjo gjë. P.sh., duke u treguar atyre se Resulullahu salallahu alejhi ue selem duke u falur natën iu kanë trashur këmbët. Këtë gjë e ka bërë vetëm duke iu falënderuar Allahut për dhuntitë që ia ka dhënë. E dikujt i është prerë ndonjë gjymtyrë nga sëmundja që kishte, por nuk e ka vërejtur derisa e ka përfunduar namazin.
E katërta: Shoqërimi i tyre në xhami
Xhamitë janë shtëpitë e Allahut, ku prodhohen dhe edukohen burra të mëdhenj, të cilët zemrat i kanë të lidhura me Allahun subhanehu ue teala. Aty gjejnë edhe ligjërata të ndryshme, ku do të udhëzohen ata në rrugë të drejtë dhe do të shoqërohen me njerëz të mirë. E kjo është privilegj për ta, se marrin pjesë nëpër vende publike me njerëz të mëdhenj.
Duke luajtur këtë rol është edhe më e lehtë për prindin, që t’ua rregullojë orarin e mësimeve fëmijëve dhe t’i nxitë ata që në shtëpi të bëjnë ndonjë bibliotekë, ku të kenë libra të ndryshëm në te dhe ta bëjnë shprehi leximin.
E pesta: Dhurata
Baza themelore për ta motivuar dikë për ndonjë vepër është shpërblimi i tij. E sidomos tek fëmijët është edhe më e dukshme dhe se ky gjest luan rol pozitiv për ta motivuar fëmijën që të jetë korrekt për çdo punë, e sidomos kur është në fjalë namazi.
Mënyra se si duhet t’i jepet dhurata fëmijës. Pedagogët thonë se ajo duhet t’i jepet para anëtarëve të tjerë të familjes, sepse vlera e dhuratës është shkak që ai ta kuptojë edhe vlerën e namazit.
Pastaj dijetarët – pedagogët thonë se fëmija fillimisht duhet të ushtrohet, që të falë një namaz në ditë, pastaj dy e pastaj tre e kështu me radhë deri sa të bindet, se duhet të falet pesë herë në ditë.
Përfundim. Që të arrihet një gjë e tillë prindi duhet t’i kushtojë kujdes kohës dhe të shfrytëzojë të gjitha metodat pozitive, të cilat e ndihmojnë këtë proces e kjo vetëm e vetëm që të arrihet mbjellja e dashurisë ndaj namazit. Kjo dashuri i bënë fëmijët të nënshtruar para prindërve të tyre dhe ata janë faqe të bardha në të cilët shënohet sjellja, mirësia dhe besimi i pastër.
Lejla en Naxhi Nga arabishtja: Enver AZIZI |