Vëllezër të nderuar. Këtu janë përmbledhur disa ajete kuranore në të cilat Allahu i Lartësuar flet për keqbërësit. E lusim Atë që mos të na bëjë prej tyre, por prej vepërmirëve.
"Ndarja mund të bëhet dy herë. Më pas, gruaja ose të mbahet me të mirë ose të lejohet të ikë me të mirë. Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që iu kanë dhënë atyre, vetëm nëse të dyja palët frikësohen se nuk do t’i zbatojnë kufijtë e Allahut. Pra, nëse të dy frikësohen se nuk do të mund t’u përmbahen kufijve të Allahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit (për t’u ndarë nga ai). Këta janë kufijtë e Allahut, andaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë keqbërësit." (Bekare, 229)
"O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka shitblerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë." (Bekare, 254)
"Kush është më keqbërës se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose i përgënjeshtron shpalljet e Tij? Vërtet, keqbërësit nuk do të shpëtojnë." (En'am, 21)
"Kush është keqbërës më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose që thotë: "Kjo më është shpallur mua”, ndërkohë që asgjë nuk i është shpallur atij? Ose që thotë: "Unë mund të shpall diçka si ajo që ka shpallur Allahu.” Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): "Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij.” (En'am, 93)
"Thuaj: "O populli im, punoni në drejtimin tuaj, ndërkohë që edhe unë bëj timen. Së shpejti do ta merrni vesh se për kë do të jetë fundi i mirë. Njëmend, keqbërësit nuk do të shpëtojnë." (En'am, 135)
"O besimtarë! Mos i pranoni për mbrojtës baballarët dhe vëllezërit tuaj, nëse ata e duan mosbesimin më shumë sesa besimin. Kushdo prej jush që i merr ata për mbrojtës, është keqbërës." (Tevbe, 23)
"Mos mendo kurrsesi se Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin) (Ibrahim, 42)
Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit." (Ankebut, 49)
"Thuaju: "Vërini re idhujt që ju i adhuroni krahas Allahut! Më tregoni, çfarë kanë krijuar ata në Tokë?! A kanë marrë gjë pjesë në krijimin e qiejve? Apo Ne u kemi dhënë idhujtarëve një Libër, ku kanë prova (për idhujtarinë që bëjnë)?” Nuk është kështu, por keqbërësit i premtojnë njëri-tjetrit vetëm mashtrime." (Fatir, 40)
"O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës." (Huxhurat, 11)
"Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë." (Mumtehineh, 9)
Përmblodhi: Almedin Ejupi |