Emri i tij është Muhamed (a.s.)


Lindi në Mekë të Arabisë Saudite në vitin 570 të erës sonë. Filloi misionin e shpalljes së fesë së vërtetë, fesë islame (e cila është bindja ndaj Zotit), kur ishte dyzet vjeç dhe u nda nga kjo botë në moshën gjashtëdhjetëetrevjeçare. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër njëzetetrevjeçare të profetësisë së tij, ai e ndryshoi tërësisht Gadishullin Arabik nga paganizmi dhe idhujtaria tek adhurimi i një Zoti, nga grindjet dhe luftërat fisnore te solidariteti dhe pajtimi kombëtar, nga vesi i pijes dhe shthurja te përkushtimi dhe devocioni, nga paligjshmëria dhe anarkia te jeta e disiplinuar, nga kalbëzimi i plotë te normat më të larta të përsosmërisë morale.
 
 
 
Kurrë më parë, a më pas, nuk e ka njohur shoqëria njerëzore një shndërrim të tillë tërësor të një populli ose të një vendi dhe përfytyrojeni, të gjitha këto mrekulli të pabesueshme, vetëm në dy dhjetëvjeçarë. Historiani i famshëm, Lamartini, duke folur për thelbin e madhështisë njerëzore, ka thënë:


"Nëse madhështia e qëllimit, mjetet e pakta dhe rezultatet mahnitëse janë tri kriteret e gjenisë njerëzore, atëherë, kush do të guxonte ta krahasonte ndonjë njeri të madh të historisë së sotme me Muhamedin? Njerëzit më të dëgjuar krijuan vetëm armë, ligje dhe perandori. Nëse krijuan diçka, jo më shumë se fuqi materiale, të cilat shpesh u bënë pluhur e hi përpara syve të tyre, ky njeri lëvizi jo vetëm armata, legjislacione, perandori, popuj e dinasti, por edhe miliona njerëz në një të tretën e popullsisë së atëhershme të botës dhe më shumë se kaq, ai lëvizi altarët, perënditë, fetë, idetë, besimet e shpirtërat. Vetëpërmbajtja e tij në fitore, ambicja e tij, e cila iu kushtua tërësisht një ideje e kurrsesi përpjekjes për krijimin e një perandorie, lutjet e tij të pambarim, bisedat e tij me Zotin, vdekja e tij dhe fitorja e tij pas vdekjes, të gjitha këto dëshmojnë jo për mashtrim, por për një bindje të patundur, e cila i dha fuqi për të ringjallur një besim. Ky besim qe i dyfishtë: njëshmëria dhe jolëndorësia e Zotit; e para, për të treguar çfarë është Zoti; e dyta, për të treguar çfarë nuk është Zoti; njëra flak tej zotat e rremë; tjetra shpall një ide me fjalë.


Filozof, orator, ligjëvënës, luftëtar, ngadhënjimtar i ideve, rigjallërues i besime racionale e i një kulti pa imazhe, themelues i njëzet perandorive tokësore dhe i një perandorie shpirtërore - ky është MUHAMEDI. Tani, po të kemi parasysh të gjitha standardet, me të cilat mund të matet madhështia njerëzore, mundet fare mire të pyesim: A ka ndonjë njeri më të madh se Muhamedi?"


Lamartine, "Historie de la Turqie", Paris, 1854, vëll.ΙI, f.276-277.


Bota ka pasur personalitete të mëdha. Por, ata qenë figura të njëanshme, të cilët janë dalluar vetëm në një a dy fusha të veprimtarisë, të tilla si, mendimi fetar ose drejtimi ushtarak. Jeta dhe mësimet e personaliteteve të mëdha të botës janë mbështjellë nga mjegulla e kohës. Ka kaq shumë hamendje, ka kaq shumë spekullim për kohën dhe për vendin e lindjes së tyre, për natyrën e hollësi tëmësimeve të tyre dhe për shkallën dhe masën e suksesit ose të dështimit të tyre, saqë është e pamundur për njerëzimin t'i ndërtojë sakt historinë e jetës së atyre njerëzve dhe të mësimeve të tyre.


Por, nuk ndodh kështu me Muhamedin. Muhamedi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) bëri aq shumë në fusha të tilla, krejt të ndryshme të mendimit njerëzor dhe të sjelljes njerëzore gjatë shkëlqimit më të plotë të historisë njerëzore. Çdo hollësi e jetës së tij vetjake dhe e kumtimeve të tij publike është dokumentuar sakt dhe është ruajtur besnikërisht deri në ditët tona. Autenciteti i dokumentimeve, të ruajtura kaq sakt dhe kaq besnikërisht, garantohet jo vetëm nga pasuesit e tij besëtarë, por edhe nga kritikët e tij paragjykues.


Muhamedi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!), ishte mësues i fesë, reformator i shoqërisë, udhëheqës i moralit, kolos i qeverisjeve të vendit, mik besnik, shok i mrekullueshëm, bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur - të gjitha të trupëzuara në një. Askush tjetër në histori nuk është shquar më shumë se ai e as nuk i është afruar atij asnjë në këto anë të ndryshme të jetës. Dhe, të tilla përsosuri të pabesueshme mund t'i arrinte vetëm një personalitet i tillë siç qe Muhamedi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!)


Mahatma Gandi, duke folur për Muhamedin (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë:


"Doja të njihja më të mirin e atyre, të cilët kanë sot pushtet të padiskutueshëm mbi zemrat e miliona njerëzve... Unë u binda më shumë se kurrë, se nuk qe shpata në ato ditë që i hapi truall fesë islame në skenën e jetës. Qe thjeshtësia e paepur e Profetit, mosvlerësimi i vetes në mënyrë absolute, përkujdesja për zotimet e veta, përkushtimi i tij i zjarrtë ndaj shokëve dhe ithtarëve, trimëria e tij, guximi i tij, besimi i tij absolut në Zotin dhe në misionin e vet, këto dhe jo shpata bënin që të kalohej çdo vështirësi.


Kur mbarova vëllimin e dytë (të jetëshkrimit të Profetit), më erdhi keq që nuk kisha më për të lexuar për jetën e madhe."


"Young India", 1924.


Tomas Karlili (Thomas Carlyle) në veprën e tij "Heronjtë dhe adhurimi i heronjëve", mahnitet kur shkruan:


"Si mundi një njeri i vetëm t'i bashkonte fiset armiqësore dhe beduinët endacakë në kombin më të fuqishëm dhe më të qytetëruar, në më pak se dy dhjetëvjeçarë!"


Divan Cand Sharma ka shkruar:


"Muhamedi ishte shpirti i mirësisë. Ai la gjurmë tek ata që kishte pranë dhe kurrë nuk u harrua nga ata."


D.C. Sharma, "The Prophets of the East", Calcuta, 1935, f. 12.


Eduart Xhibën dhe Simon Oukli (Edwart Gibbon dhe Simon Ockley) duke folur për Islamin, shkruajnë:


"Ne besojme në një Zot dhe në Muhamedin si të Dërguar të Zotit, është dëshmia e thjeshtë dhe e pandryshueshme e Islamit.


Imazhi mendor i Zotit nuk është poshtëruar kurrë nga ndonjë idhull i dukshëm; nderimi për profetin asnjëherë nuk e ka tejkaluar masën e vitytit njerëzor, kurse porositë e tij morale për jetesën e kanë kufizuar mirënjohjen e dishepujve të tij brenda caqeve të arsyes dhe të fesë."


"Histori of Saracen Empire", London, 1870, f.54.


Muhamedi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) nuk qe as më shumë e as më pak se një njeri. Por, ai ishte një njeri me mision fisnik. Ishte për të bashkuar njerëzimin për të adhuruar Një dhe vetëm Një Zot dhe për t'u mësuar atyre rrugën për një jetë të ndershme dhe të pastër, sipas urdhërave të Allahut. Ai gjithmonë e quante veten një "shërbëtor dhe të Dërguar të Allahut" dhe vërtet, çdo veprim i tij tregonte pikërisht këtë.


Duke folur për barazinë para Allahut sipas fesë islame, poetesha e famshme e Indisë, Saroxhini Naidu thotë:


"Qe feja e parë, që shpalli dhe zbatoi demokracinë. Ajo mishërohet pesë herë në ditë, kur thërritet ezani për t'u falur e mblidhen besimtarët në xhami, kur fshatari dhe mbreti gjunjëzohen krahë për krahë dhe thonë: "Allahu është më i Madhi." Mua gjithnjë më ka lënë mbresë uniteti i pathyeshëm i Islamit, që i bën njerëzit vetvetiu vëllezër."


S.Naidu, "Ideal of Islam", Speecher and Writings, Madras, 1918, f.169.


Kurse fjalët e Prof. Hurgronxhit (Hurgronje) janë:


"Lidhja e Kombeve, e krijuar nga Profeti i Islamit, e vuri parimin e unitetit ndërkombëtar dhe të vllazërisë njerëzore mbi të tilla themele universale, që u tregoi dritën e kombeve të tjera." Më tej ai vijon: "Është fakt, që asnjë komb i botës nuk mund të paralelizohet me atë që ka bërë Islami për të vënë në jetë idenë e Lidhjes së Kombeve."


E gjithë përpjekja e Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) qe për një qëllim: për ta bashkuar njerëzimin për të adhuruar sipas kodeve të përsosmërisë morale, Një Zot. Muhamedi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e as ithtarët e tij kurrë, në asnjë kohë nuk kanë pretenduar se ai ishte bir i Zotit, se ishte mëshirim i Zotit, se ishte njeri hyjnor. Përkundrazi, ai gjithnjë është konsideruar dhe konsiderohet edhe sot vetëm i Dërguar, i zgjedhur nga Allahu.


Maikëll H. Haat (Michael H. Hart), në librin e tij, të botuar para pak kohësh, në të cilin bën vlerësimin e njerëzve, që kanë kontribuar për të mirën dhe lartësimin e njerëzimit, shkruan:


"Alternativa ime e vënies së Muhamedit në krye të listës së njerëzve më me influencë në botë, mund të habisë ndonjë lexues e mund të diskutohet nga të tjerë, por ai qe i vetmi njeri në histori, i cili pati suksesin më të madh, si në aspektin fetar, ashtu dhe në atë shekullar."


M.H.Hart, "The 100 a Ranking of the Most Influential persons in History" Neë York, 1978, f.73.


Sot pas katërmbëdhjetë shekujsh, jeta dhe mësimet e Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) kanë mbijetuar pa as më të voglin humbje, pa as më të voglin ndryshim. Ato japin të njëjtën shpresë të pavdekshme për të shëruar shumë të këqija të njerëzimit, siç i shëruan të këqijat kur ai ishte gjallë. Ky nuk është mëtim i ithtarëve të Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!), por edhje përfundim i pashmangshëm që imponohet nga një histori kritike dhe e paanëshme.


Gjëja më e vogël që ju mund të bënit, si njeri, që mendoni dhe shqetësoheni, është të ndaloni për një çast dhe t'i bëni pyetjen vetes: a mund të ishin vërtet të vërteta këto thënie, që tingëllojnë kaq të jashtëzakonshme dhe kaq revolucionare? Dhe duke menduar se ato janë vërtet të vërteta, por ju nuk e njihnit këtë njeri, nuk e njihnit Muhamedin (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ose nuk kishit dëgjuar për të, a nuk është koha që t'i përgjigjeni kësaj sfide të fuqishme dhe të përpiqeni ta njihni atë? Kjo nuk do t'ju kushtojë asgjë dhe do t'ju sjellë fillimin e një kthese krejtësisht të re në jetën tuaj. Ne ju ftojmë ta zbuloni këtë njeri të mrekullueshëm, MUHAMEDIN (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!), i cili me shembullin e tij kurrë nuk ka pasur të dytë në faqen e kësaj Toke.


Shkëputur nga "Islam in Concept", Rijad, 1992.
Category: Sira | Added by: El-Kasim (2012-03-09)
Views: 5024 | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Emri *:
Email:
Kodi i sigurimit *: