Muxhizet e Muhammedit a.s


Dy mu’xhizet (mrekullitë) e tij më të mëdha janë: Kur`ani dhe virtytet e cilësitë e tij të jashtëzakonshme, me të cilat All-llahu [subhanehu ue te’ala] e ka bërë të denjë për bartjen e misionit Islam. Edhe jetëshkrimi i tij vetvetiu ka qenë mu’xhize.
Ka qenë njeri dhe All-llahu [subhanehu ue te’ala] e ka urdhëruar që të deklarojë e ta pohojë këtë të vërtetë, duke ua zbuluar njerëzve, ashtu që mos ta marrin për zot apo t’i përshkruajnë cilësi hyjnore. I Lartësuari i ka thënë:
"Thuaj: " Unë jam vetëm njeri si ju, vetëm se mua më shpallet”. (Fussilet: 6).


"Njeri sikur ju”, me të gjitha virtytet kryesore dhe përbërjet e vetive njerëzore, megjithatë, në mesin e njerëzve plotësisht të sigurtë, nuk ekziston askush si ai në madhështinë e tij, dhe All-llahu [subhanehu ue te’ala] nuk krijoji asnjërin nga bijtë e Ademit, sipas këtij kallëpi dhe të këtij lloji, përveç një njeriu, i cili quhet Muhammed ibn Abdullah, All-llahu e bekoftë atë, babain e tij (sipas feje) Ibrahimin, Musain, Isain dhe të gjithë pejgamberët tjerë.
 
Do të ishte padrejtësi ndaj Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] dhe padrejtësi ndaj të vërtetës, sikur ta kishim krahasuar me njërin nga një mijë kolosët, të cilët kanë shkëlqyer gjatë errësirës së historisë, nga dita e parë që kur njihet historia. Disa nga këta njerëz kolosalë kanë qenë intelektualë të mëdhenjë, mirëpo me ndjenja e retorikë të dobët. Disa kanë qenë elokuentë, me imagjinatë të zhvilluar, mirëpo me ide të rëndomta. Disa janë dalluar në qeverisje e udhëheqje, por jeta e tyre dhe morali kanë qenë në nivel të moralit të njerëzve të thjeshtë e të shfrenuar. Muhammedi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] është i vetmi, i cili e përmbledh në vete tërë madhështinë. Çdonjëri nga kolosët ka pasur të metat e caktuara, të cilat është përpjekur t’i mbulojë e t’i fshehë, duke u frikësuar që njerëzit të mos i zbulojnë. Mangësitë që janë të lidhura me epshet dhe familjen e tij, apo mangësitë që shpien në dobësi dhe ekstravagancë. Muhammedi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] është i vetmi, i cili tërë jetën e vet ua zbuloi njerëzve, ashtu që jeta e tij paraqet një libër të hapur të cilit asnjë faqe nuk i është mbështjellur, e as një rresht nuk i është fshirë, e lexon kush dëshiron.


I vetmi ai, u ka lejuar sahabëve-shokëve të vet që të përhapin e ta shpallin tërë atë që buron nga ai. Merrni p.sh. Aishen, radijallahu ‘anha, e cila gjatë jetës së tij dhe me lejen e tij e njoftoi tërë opinionin me sjelljet e tij në shtëpi e me familjen e tij, sepse e tërë veprimtaria e tij është Fe, Sheri’at-Legjislacion, dhe sikur në mesin e lexuesve të mos ketë rini e gra, do t’ju përmendja ndonjë pjesë të kësaj, e që librat e hadithit, historisë (sira) e të fikhut janë përplot me këtë.


I kanë transmetuar nga ai të gjitha, madje edhe atë që ndodh në rastet e domosdoshmërisë njerëzore, kështu që jemi njoftuar se si ka ngrënë, si është veshur, në ç’mënyrë ka fjetur kryer nevojën dhe si është pastruar nga ajo.


Pra, ma tregoni ndonjë kolos tjetër, i cili ka guxim që t’i ekspozohet rrezikut e t’u thotë njerëzve:”Ja e tërë jeta ime dhe të gjithë veprat e mia, mund t’i shikoni e t’ua tregoni edhe miqëve edhe armiqëve, e kush nga ata dëshiron le të gjejë në to ndonjë dobësi, apo të metë”. Ma tregoni ndonjë kolos tjetër, e tërë jeta e të cilit është shënuar kaq hollësisht, ngjarjet dhe detajet e të cilit janë të njohura edhe pas një mijë e katërqind vjetësh, siç e njohim në jetën e Pejgamberit tonë?


Madhështia shikohet në natyrën (karakterin), moralin dhe cilësitë e vetive inviduale. Apo në veprat e famshme të cilat kolosi i ka bërë. Apo në gjurmët që i ka lënë në historinë e popullit të vet dhe historinë e njerëzimit. Çdo kolos posedon njërin nga këto kritere, me të cilat matet madhështia e tij. Ndërkaq, madhështia e Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] matet me të gjitha shkaqet e madhështisë dhe kështu ishte kolos i cilësive individuale, kolos i veprave, kolos i gjurmëve, të cilat i la pas vetës.


Kolosët ishin kolosë vetëm në mesin e popullit të tyre, duke sjellë dobi aq sa u kishin sjellë dëm të tjerëve, siç janë madhështia e trimave luftarakë dhe udhëheqësve pushtues. Apo ka qenë madhështi botërore, mirëpo në sferë të kufizuar : në zbulimin e ndonjërit nga ligjet të cilat All-llahut [subhanehu ue te’ala] i ka depozituar e fshehur, me qëllim që në arritjen deri te ai ligj ta angazhojnë mendjen në punë, apo në zbulimin e ilaçit të ndonjë sëmundjeje, në vënien e ndonjë teorie filozofike, në hartimin e ndonjë kryevepre letrare, ndonjë novele gjeniale apo në përmbledhjen e poezive të spikatura.


E sa i përket Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem], madhështia e tij është sipas vëllimit të tij, ka qenë botërore e i ka përfshirë të gjitha sferat e saj.


Ka besuar në atë që ka thirrë, derisa shumica e misionarëve që i njohim më parë edhe sot, flasin me gjuhë të kundërtën e asaj që e punojnë. Deklarojnë para njerëzve atë që nuk e punojnë kur janë vetëm, dhe mbi ta, në çastet e lakmisë, frikës, hidhërimit e nevojave, dominon natyra apo karakteri i shpirtrave të tyre, dhe harrojnë tërë atë që e kanë thënë. Nuk flas për askënd personalisht, por do ta përmendi rastin tim: Unë kur mbaj ligjerata apo shkruaj artikuj të cilët thërrasin në Rrugë e Vërtetë, më mposhtë barra e natyrës sime dhe dëshirat e shpirtit të prirura kah e keqja, e prapë kthehem në tokë. Njerëzit e vërejnë këtë te vaizi (ligjeruesi) e oratori, ashtu që nuk i japin rëndësi asaj çka ata flasin, e as që vazi (ligjerata) ka ndikim te ata.


Përkundrazi, Resulull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] kurrë nuk ka thirrë në ligjeratë të përgjithshme në të cilën do t’i shpjegonte disa dispozita islame, e as që ka themeluar medrese-shkollë me orë të mësimit e me ligjerata, as nuk rrinte në hallka-ndeja për vaz, por shpalljen që i vinte e kumtonte në shtëpi, mesxhid, në rrugë, e poashtu urdhëronte në të mira e largonte nga të këqijat atëherë kur këtë e kërkonte nevoja. Mirëpo, këtë e fliste me gjuhë e me praktikë, e shprehte atë me fjalë, por nuk mendoni për domethënien e tyre, vëllezër, është: Se të gjitha veprat e tij e çdo veti e tij është moral- ajete të cilat mësohen, ligjeratat të cilat mbahen, hallkat-tubimet e derseve, ndenjave e vazeve, se të gjitha ato shqiptojnë atë që urdhëron Kur`ani.


Ka falur namazin e natës kijamu-lejl, aq saqë këmbët i janë ënjur dhe vazhdimisht nga All-llahu kërkonte falje, e i është thënë:” A nuk ti ka falur All-llahu [subhanehu ue te’ala] të gjitha mëkatet e mëparshme dhe ato të ardhmet?!”. Në çka ai është përgjigjur: ” A të mos jem rob-shërbëtorë i Tij falënderues?”


Nëpërmjet të gjitha veprave është gjendur në namaz (ibadet), ngase çdo vepër e mirë dhe largimi nga e keqja, si edhe puna në dobi të shoqërisë, nëse me të dëshirohet arritja e kënaqësisë së All-llahut, i llogaritet atij i cili i bënë ato si namaz. Do të ndiejë kënaqësi me sjelljen e një shembulli për imanin e tij, besimin e fortë në atë që thërriste dhe vendosmërinë e tij që atë ta zbatojë në praktikë me këmbëngulje, e cila gjë ishte mbi çdo konsideratë, e si hyrje për atë shembull do të shërbehem me një ilustrim nga realiteti:


Sikur vajza nga familja më me renome, e familjes së ndonjë kolosi apo guvernatori të ishte akuzuar për hajni, çka mendoni a do të burgosej, siç ishte burgosur ndonjë jetime e mjerë sikur ta kishte bërë ajo vjedhjen? Dhe a do të zbatohej ndaj saj dispozita ligjore, siç do të zbatohej ndaj jetimes së mjerë, apo në rastin e saj do të intervenonin njëmijë duar, që t’ia fshehnin krimin, t’ia lehtësojnë gjykimin apo t’ia zbusin dënimin?


I njëjti rast i tillë ndodhi në kohën e Resulullahut [sal-lAll-llahu alejhi ue selam] një vajzë me prejardhjen nga njëra prej familjeve kurejshite me renome, familja e Beni Mahzum, familja e Velidit (i quajtur Velidi i vetmi), familja e Halidit (Ibn Velidit), Kryetarit të udhëheqësve në fushëbetejë, familja e tretë me renome pas familjeve Hashimi e Umejje, ka vjedhur. Dhe pasi që është ndërmjetës i cili do të angazhohej për të, duke menduar se Pejgamberi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem], pasi që e kanë njohur se e do mëshirën e faljen, do t’ia falë, ai përnjëherë pasi që ia hapën bisedën për këtë u hidhërua, duke u shpjeguar se popujt e mëparshëm e kanë përjetuar shkatërrimin përshkak se kur ndonjë i pasur me autoritet nga mesi i tyre ka bërë ndonjë krim (hajni), e kanë lënë, e kur këtë e ka bërë ndonjë i dobët e i pa fuqishëm e kanë dënuar. Me atë rast, i shqiptoi fjalët të cilat në jetën islame përcaktuan themelin e fortë të qëndrueshëm dhe vërtetuan se dënimi nuk pranon kurrfarë ndërmjetësimi, e as që ka falje në të: " Pasha All-llahun, sikur edhe Fatimeja (bija e Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem]) të kishte vjedhur do t’ia kisha këputur dorën”.


Kjo për të ka qenë diç e natyrshme, sepse, ai ka jetuar për misionin dhe me misionin-da`ven. Dëshirat e tij kanë pasur atë që i është shpallur dhe e gjithë ajo që e lidh për njerëzit nga: lidhjet farefisnore, miqësitë e interesat, të gjitha këto shkëputen nëse dalin si pengesë në rrugën e da`vetit-thirrjes në Rrugën e Drejtë. Ai është liruar prej të gjitha kërkesave. Nuk synonte jetë të vetmuar të murgjve-asketizmin, apo aplikimin e urisë, sikur që e bëjnë këtë disa të cilët pohojnë për vete se janë të devotshëm-asket. Nuk i ka veshur përherë rrobat e varfërisë, e as që është përpjekur gjithmonë të jetë me rroba të leshit (sufë). Ka ngrënë atë që i është ofruar, e nëse nuk i ka pëlqyer (nga ajo që nuk është e ndaluar) nuk e hante, as nuk e nënçmonte, e as nuk është e njohur që ndonjëherë ushqimin e ka qortuar. E kur nuk kishte ushqim e duronte urinë, derisa nuk e ka raskapitur ashtu që e lidhte gurin për stomaku. Ka veshur atë që e gjente (që e ka pasur), duke mos u përmbajtur nga petkat e shtjerrura, të cilësisë së caktuar e as ngjyrës së caktuar. Ndonjëherë e vënte Imamen (turbanin) mbi kapuç, nonjëherë Imamen pa kapuç e ndonjëherë kapuçin pa Imame.


Në vete mbante këmishën dhe mantelin, veshte burdën (lloj manteli) e xhyben, por jo siç janë këto të sotmet të gjata e me mëngë të gjëra, por xhybe me mëngë të ngushta. Imama nuk ka qenë si këto të sotmet, por sikur Imamat e njohura nga Ehlu-l- Hixhazi (krahinë në arabinë saudite), copë e pëlhurës, e cila mbështjellet rreth kokës, e nëse nuk ka nevojë për të, hedhet mbi krahë, përdoret për nevojë në paqe apo për lidhjen e robërve në luftë, e ndonjëherë për këtë është përdorur edhe rripi. Imamet janë domosdoshmëri natyrore në hixhaz me diellin që përcëllon. Ata me ato i kanë mbrojtur kokat nga përcëllitja e rrezeve të diellit, prandaj është thënë: "Imamet janë kurorat e arabëve”. Pejgamberi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] sa i përket Imames, nuk i është përmbajtur ngjyrës së caktuar, e në ditën e çlirimit të Mekkes e kishte Imamen e zezë.


Në Islam nuk ka rroba të ndaluara, përveç atyre, të cilat zbulojnë atë çka duhet të jetë e mbuluar, ndërsa gruas muslimane nuk i lejohet që të zbulojë asgjë, përveç fytyrës e shuplakave të dorës (pranë të huajit), ndërsa për meshkujt përveç mëndafshit, rroba të cilat janë të lidhura posaçërisht me pjesëtarët e ndonjë feje përveç Islamit- ashtu që sikur dikush t’i vishte do të mendonte se është njëri prej tyre, siç janë p.sh.: rrobat e murgjërve, pastaj që mashkulli të veshë ekskluzivisht rrobat e femrave apo femrat të veshin rrobat specifike të meshkujve, si edhe ato rroba në të cilat ka teprime e shpenzime pa masë. Pos kësaj të gjitha rrobat tjera janë të lejuara në Islam.


Pejgamberi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] nuk i ka ndaluar stolitë të cilat All-llahu [subhanehu ue te’ala] i ka krijuar për robërit e Tij, si dhe ushqimet e shijshme, sikur t’i gjente ato nuk do t’i refuzonte, mirëpo, nuk ka qenë lakmues për to e as nuk e ka marrë këtë për brengë të vetme e më të madhe të kësaj bote. Poashtu ka qenë i liruar nga dëshirat për pasuri e renome, e ju e dini se kurejshitët i kanë ofruar pasuri e i kanë ofruar pushtet e qeverisje mbi ta, nëse dëshiron renome e pozitë dhe nuk linin asgjë nga ajo që dinin që shpirtërat për to pretendojnë dhe dëshirojnë, e që të mos ia ofronin duke shpresuar se ndoshta do të heqë dorë nga misioni (da’veti) i tij, por Resulull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] i refuzoi të gjitha ato që ia ofruan ata.


Poashtu ka qenë i liruar nga instikti seksual, megjithatë një grup orientalistësh, të cilët e kanë studiuar jetën e Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] me të përceptuarit (mendjen) e pazhvilluar të tyre të dunjasë, janë mashtruar duke e vlerësuar me kritere me të cilat i vlerësojnë kolosët e tyre, ashtu që kur e panë se i ka martuar nëntë gra, thanë se një njeri epshor (i dhënë pas epsheve), duke e numëruar në atë grup të pushtuesve e letrarëve të cilët i njihnin. Kështu Napoleoni p.sh. e ka detyruar tërë popullin, me gjithë qeverinë dhe parinë e tij, që t’i nënshtrohen duke i sjellur një vajzë polake të cilën e dashuronte. Edhe më shumë se kjo, e detyroi babain e asaj vajze, që ta shtrëngojë bijën për të bërë mëkat të cilin nga ajo kërkonte, duke e vënë çlirimin e Polonisë peng të realizimit të kësaj dëshire të ndytur dhe të shfrenuar. Por, nuk ka qenë vetëm ky mëkat i Napoleonit, por edhe Aleksandër Dumasi (Dima), Bajroni, Gëte, Bodleri e dhjetëra të tjerë këtyre të ngjashëm, të gjithë kanë qenë të njejtë. Biografitë e tyre janë pezente, kur të arrish në cilëndo nga ato (biografi), te analizat e ndodhive të tyre seksuale, hunda do ta kundërmojë erën e keqe të ndytësirave.


Kanë ardhur me këto pikëpamje e konceptime ta studiojnë jetën e Pejgamberit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem], ashtu që me mendimet e tyre për të – larg nga të njohurit e psikologjisë, historisë së Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] dhe larg nga objektiviteti e virytet në studim e hulumtim, të paraqesin se ai ka qenë njeri i dhënë pas epshit.


Koha më e shprehur e dëshirës seksuale, në aspektin e vigjilencës e mallëngjimit, është koha ndërmjet pjekurisë (kur njeriu hyn në moshën madhore) e as nuk i bëhet dëm njeriut, e i tha: "Mos më dilni para sysh”, ashtu që Vahshi i largohej shikimit të tij.


Edhe Hindës, gruas së Ebu Sufjanit, urrejtja e së cilës ndaj Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] dhe misionit të tij, e ka arritur kufirin që të bëjë atë çka nuk do ta kishte bërë asnjë grua, çka nuk do ta bënte njeriu, ujku, e as macja e egër. E coptoi gjoksin e Hamzës së vdekur, ia nxori zemrën dhe e ngrëni...! Hindës, e cila në luftë kundër Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] ka bërë marrëzira, Resulull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] ia fali, lidhi me të betimin për besnikëri dhe e pranoi Islamin e saj.


Edhe banorëve të Taifit (krahinë në Arabinë Saudite), për të cilët keni dëgjuar se çfarë kanë bërë me Resulull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] ua fali pasi që e pranuan Islamin. E, ja edhe skena më të mëdha, shembulli i lartësuar në të gjithë shekuj: banorët e Mekkes, të cilët atë dhe sahabët e tij i kanë nënshtruar ndaj çdo lloj torturash e mundimesh, e kanë shqetësuar fizikisht dhe shpirtërisht e në fe, kanë thënë për të atë që e kanë bojkotuar, e kanë mbyllur në ngushticat Mekkase, i kanë vënë ferra nëpër rrugë, derisa ka qenë në sexhde ia kanë hedhur zorrët dhe plancin e deves mbi kokë, e kanë përqeshur në mënyra të ndryshme dhe e tërë kjo nuk ka zgjatur një ditë, apo dy, as një vit apo dy, por trembëdhjet vjet të plota. Pastaj kanë luftuar kundër tij dhe farefisin e sahabët e tij ia kanë mbytur, derisa nuk i zuri dhe i vendosi pranë vetës rreth Qa’bes, të përulur e pa mbrojtje. Dhe erdhi çasti i hakmarrjes. Jo, lene fjalën hakmarrje, sepse asaj nuk i ka hije në këtë vend, çasti i dënimit të Sheri’atit i cili do të paraqesë përgjigjen në vargun e gjatë të sulmeve e ofendimeve, dhe ja si iu thotë:”Çka mendoni se do të bëjë me ju?”. Ata e përkujtojnë tërë atë që e kanë bërë edhe e dinë se çka meritojnë, megjithatë, poashtu e sjellin ndër mend moralin e Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] dhe i dinë idealet e tij dhe thanë:”Ti je vëllai fisnik, bir i vëllait fisnik”. E pastaj heshtën, duke pritur vendimin definitiv dhe po të ishte vendimi që të gjithë të vriten, nuk do të gjendej asnjë historian, qoftë mik apo armik, i cili do ta qortonte madje me një fjalë. Megjithatë, vendimi i Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] ishte diç tjetër. Ka qenë befasi të cilën askush nuk e ka pritur, befasi e cila e ka habitur shekullin e tij dhe çdo shekull i cili vijoi pas tij. Ju tha :”Shkoni, jeni të lirë”.


Më vjen keq që këtë skenë (veprim të Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem]) kështu shkurtazi e paraqita, ndonëse kam pasur dëshirë që asaj t’ia kushtoj një hapësirë më të gjërë e t’ua ndriçoj ashtu siç duhet të jetë e ndriçuar. Sjellja e tillë kërkon forcën e dhjetë mijë mundësve (luftëtarëve).


Çuditem përse shkrimtarët e mëvonshëm të Sires (jetës së Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem]) përpiqen që t’i përmendin sa më shumë mu’xhize, gjerësisht duke folur për to dhe duke shtuar edhe ato që fare nuk kanë ndodhur. Përse kjo ju nevojitet? Çka ju nevojitet kur çdo skenë nga jeta e Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] dhe çdo faqe e personalitetit të tij është një nga mu’xhizet më të mëdha?!


E ç’është mu’xhizeja? A nuk është ajo që njerëzit janë të pa aftë të bëjnë?! Sinqeriteti dhe besnikëria e tij janë mu’xhize.


Nuk do t’u sjell shembuj të shumtë, sepse hapësira është e kufizuar, por do ta përmendi vetëm një, ngjarjen pranë leximit të së cilës kam kaluar me qindra herë, duke lexuar si lajm të zakonshëm, derisa një ditë nuk e vërejta befasi... dhe ja përnjëherë çudia – mu’xhizja. E sa ka në Siren e Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] lajme të ngjashme? Të gjithë e dinë se Resulull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] me rastin e hixhretit në Medine e ka lënë në vendin e tij Aliun [radijallahu ‘anhu], që t’ua kthejë kurejshitëve amanetet- gjërat e dhëna në besë, të cilat kanë qenë te ai për t’ua ruajtur, pra a keni menduar ndonjherë për tregimin e këtyre amaneteve?


E ka lënë Aliun [radijallahu ‘anhu] që t’ua kthejë kurejshitëve, e jo muslimanëve, sepse Pejgamberi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] ka qenë i fundit që e bëri hixhretin, duke mbetur në Mekke siç mbetet kapiteni i anijes së dëmtuar, duke mos e braktisur atë derisa të mos zbresin të gjithë udhëtarët e të arrijnë deri te barkat për shpëtim. Ky është virtyt të cilin kalimthi e përmenda. Tregimi i amaneteve – gjërave të dhëna në besë, përbëhet në atë se kurejshitët edhe përkundër gjithë asaj çka ka qenë në mes tyre e Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] – nuk kanë mundur të gjejnë askend të cilit do t’ia besonin gjërat e tyre të vlefshme për t’ua ruajtur, përveç Muhammedit [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem]. Pra, përfytyroni dy palë të ndryshme midis të cilave dominon lufta, beteja me gjuhë, dorë, parime dhe fe, pastaj anëtarët e njërës palë ia besojnë pasuritë e veta dhe ia lënë në kujdes njeriut nga pala tjetër – pala kundërshtare!


A keni dëgjuar ndonjëherë për ndonjë rast të tillë?! Dhe si do t’ia japin në ruajtje atij kundërshtari, nëse morali i tij – ahlaku dhe amaneti – besnikëria nuk paraqesin një nga mu’xhizet dhe nëse çdo dyshim në këto nuk është një absurditet? I tillë ka qenë Muhammedi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem]! Kur në Ditën e Bedrit, Resulull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] para betejës i rreshtonte rradhët e ushtisë së vet, e në dorë kishte një shigjetë, hasi në Sa’d ibn Gazijetin se si kishte dalur jashtë reshtit, kështu që e shtyri me shigjetë në pjesën e barkut dhe i tha: ”Rreshtohu, o Sa’d”.


Ky u përgjigj:” O i Dërguari i All-llahut, më ke shkaktuar dhembje, ndërsa All-llahu të ka dërguar me të vërtetën dhe me drejtësinë”. Përfytyrone këtë skenë: Komandantit të ushtrisë i kundërvihet ushtari i thjeshtë me këto fjalë. Ç’mendoni, si do të veprojë me të? Ta dënojë? Ta lë apo do të jetë zemërgjërë e fisnik e t’ia falë? Apo do të ngrihet mbi këtë e të thotë:”më fal, unë të kërkoj ndjesë?”, mirëpo ai, Resullull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] ka bërë diçka që askush nuk do ta bënte, as që ndokujt do t’i shkonte ndërmend ta bënte, ia zbuloi barkun e vet, ia dha shigjetën e i tha:”Ma kthe – zbatoje kisasin!”


Ka lejuar që mbi të të zbatohet kisasi, d.m.th. që fyerja e shkaktuar t’i kthehet, e ai është Sejjidul-Beshher, i pari i njerëzimit. I tillë ishte Muhammedi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem]! e tërë jeta e tij ka qenë mu’xhize dhe të gjithë kolosët e botës janë të paaftë të lënë pas vetes një Sire- Histori të tillë. Në çdo pjesë të saj shihen dinjiteti e madhështia: në fuqinë e konstruktin sportiv të trupit të tij, në shpirtin e tij nismëtarë, në atë që fitorja asnjëherë nuk do ta dalldiste deri në atë masë e ta bëjë kryelartë e as humbja ta dëshpëronte deri në atë masë që ta mllefoste apo t’ia humbte vullnetin.


Mu’xhizeja gjendet:


Në qëndrueshmërinë e vendosmërinë e tij në betejat e ashpra,saqë edhe sahabët më të guximshëm janë strehuar pas tij, në trimërinë e tij, para së cilës binin kreshnikët më të mëdhenjë, në përulshmërinë e tij ndaj të varfërit e të mjerit dhe kujdesit ndaj grave të varfëra, të vejave e plakave, në pranimin e tij të së vërtetës dhe përcjelljen e sinqertë të Shpalljes së All-llahut [subhanehu ue te’ala], ashtu që i shpalli edhe ato ajete të cilat zbritën që ta fajësojnë e ta qortojnë. Në respektin e tij të kontratave e marrëveshjeve dhe ruajtjen e fjalës së dhënë, pa marrë parasysh sa mundime e vështirësi të shkaktojë ruajtja e saj, dhe e gjithë kjo pa marrë parasysh a ka të bëjë me sjelljen e tij personale apo me çështjet shtetërore.


Në ndjenjën e shijen e tij të rafinuar, në aplikimin e rregullave të ushqimit dhe vënien e themelit të pastërtisë. Në sjelljen e tij me sahabët, meqë ai i ka mësuar dhe me ta ka vepruar. Ka jetuar ashtu siç kanë jetuar edhe ata, me ta është këshilluar dhe propozimet e tyre i ka pranuar, është ulur atje ku gjente vend të lirë, në fund të mexhlisit, ashtu që ai i cili do të vinte për ta parë, do të shikonte në fytyrat e të pranishmëve dhe do të thoshte: "Kush është nga ju Muhammedi?” sepse Muhammedi [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] nuk është dalluar nga ata, as në të ulur as në roba, në të gjitha ishte sikur ata.


Në sjelljen e tij te bukur e të virtytshme me gratë, në sjelljet në shtëpi e në familje, në shakanë e tij të sinqertë dhe në kthjelltësinë e shpirtit të tij, në atë se ka qenë i dashur në zemrën e çdo njërit, në modestinë e tij dhe refuzimin që të konsiderohet për mbret.


Në atë se ka jetuar jetën e varfërisë duke hequr dorë nga pasuria, e jo nga pa aftësia për ta poseduar. Po të dëshironte, pallati i tij do të ishte më i madh se pallatet mbretërore e oborret e perandorëve, mirëpo ai e ka zgjedhur ahiretin e ashtu që gjërësia e të gjitha shtëpive të grave të tij (nëntë grave të tij) nuk e ka kaluar 25 metërshin.


Shtëpia e Aishes, radijallahu anha, është përbërë nga dhoma e ndërtuar nga balta e qerpiçët dhe ka qenë aq e ngushtë sa që nuk ka qenë ë mjaftueshme për fjetje e namaz njëkohësisht, ashtu që kur Resulull-llahu [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] në të falte namazin e natës, e largonte këmbën e saj që të bëjë sexhden. Ndërsa sa i përket ushqimit të tij, Aishja r.a. tregonte se kalonin edhe nga dy muaj të tërë, e zjarri në shtëpinë e Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] nuk është ndezur që buka në të të përgatitet. Dhe kur i është thënë: "Me çka atëherë jeni ushqyer?”- është përgjigjur:” Me ujë e hurma”.


Ky ka qenë ushqimi i familjes së Resulull-llahut [sal-lAll-llahu ‘alejhi ue sel-lem] . pastaj në bukurinë e të shprehurit e retorikën e tij, në çka ka qenë më elokuenti e më retoriku.


Në tërë këtë pasqyrohet mu’xhizja, si dëshmi se All-llahu [subhanehu ue te’ala] nuk e ka zgjedhur për mision më të lartësuar, e as që e bëri pejgamber të fundit derisa për këtë nuk e përgatiti me përgatitje e cila e bëri njërin nga bijtë e Ademit [alejhi selam] i cili nuk ka konkurrent në virtytet e tij, All-llahu e mëshiroftë dhe e shpëtoftë. All-llahu më së miri di se kujt do t’ia besojë misionin e vet.
Category: Sira | Added by: El-Kasim (2012-03-09)
Views: 708 | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Emri *:
Email:
Kodi i sigurimit *: